Aksesi në sherbime i grave qe i pergasin komuniteteve te pafavorizuara

Projekti Promovimi i të drejtave të grave nga grupet e pafavorizuara për informim mbi shërbimet e ofruara për gratë e dhunuara, dhe për akses në këto shërbime synon të fuqizojë gratë dhe vajzat në rajonet e Tiranës, Elbasanit, Shkodrës dhe Vlorës, të cilat kanë përjetuar apo janë në rrezik të përjetojnë diskriminim dhe dhunë, në mënyrë që të kenë akses në shërbime cilësore për gratë e mbijetuara ndaj dhunës. Për këtë qëllim, FSHDPAK në bashkëpunim me Qendrën për të Drejtat e Grave Rome (QDGR) dhe Aleancën kundër Diskriminimit të Komunitetiti LGBT (Aleanca LGBT):(i) sigurojnë informacion të aksesueshëm për gratë me aftësi të kufizuara, gratë nga komuniteti Rom dhe Egjiptian, komuniteti LGBT dhe grupet e tjera për shërbimet e ofruara në këtë fushë si dhe të  drejtë e tyre për të  përdorur këto shërbime (formate alternative do të përgatiten për gratë me aftësi të kufizuara përfshirë gratë që nuk shikojnë, nuk flasin dhe dëgjojnë dhe gratë më aftësi të kufizuara intelektuale; (ii) përfshijnë dhe rrisin kapacitetet e organizatave të grave dhe organizatave të fokusuara në të drejtat e minoriteteve dhe grupeve të pafavorizuara për të informuar gratë e komuniteteve me të cilat punojnë dhe për tu lehtesuar aksesin në shërbime të ndryshme për gratë viktima të dhunës; (iii) ndërgjegjësojnë dhe rrisin kapacitetet e ofruesve të shërbimeve publike për detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni ndërkombëtar dhe kombëtar në lidhje me: a) ofrimin e informacionit të shpejtë dhe të përshtatshëm mbi shërbimet dhe mbrojtjen ligjore për gratë viktima të dhunës me bazë gjinore; b) sigurimi i aksesit në këto shërbime për të gjitha gratë që kanë nevojë, duke u fokusuar në eleminimin e barrierave që ekzistojnë për gratë me aftë si të kufizuara, gratë Rome, Egjiptiane, ato nga komuniteti LGBTI e të tjera.

Gjatë zbatimit të këtij projekti, gratë në zonat ku zbatohet projekti, përfshirë ato me aftësi të kufizuara, gra nga komuniteti Rom, Egjiptian dhe LGBTI kanë përftuar njohuri dhe informacion mbi shërbimet e disponueshme, kur përballen me dhunë dhe abuzim në familje dhe përtej, si dhe janë më të fuqizuara për të përdorur këto shërbime kur kanë nevojë;

Rreth 40 organizata të shoqërisë civile kanë përftuar njohuri mbi kufizimet me të cilat gratë dhe vajzat nga grupet e mësipërme përballen dhe janë pajisur me njohuritë e nevojshme pë të mbështetur gratë viktima të dhunës të kenë akses në këto shërbimeve; Autoritetet shtetërore në nivel lokal dhe qëndror – përfshirë anëtarët e mekanizmave të referimit dhe ofrues të shërbimeve të përgjithshme dhe të specializuara në fushën e shëndetësisë, shërbimeve sociale, policisë, shërbimeve juridike dhe arsimit janë më të informuar rreth barrierave që gratë nga këto grupe hasin kur duhet të përdorin këto shërbime; dhe janë më të përgjegjshëm në adresimin e këtyre pengesave, duke siguruar që gratë me aftësi të kufizuara, ato nga komuniteti Rom, Egjiptian dhe LGBT të përftojnë nga këto shërbime.

Disa botime janë përgatitur gjatë zbatimit të projektit, siç janë udhëzimet për format e veçanta të dhunës kundër grave me aftësi të kufizuara, grave Rome dhe LGBT me një listë të shërbimeve dhe mekanizmave institucional për mbrojtjen kundër dhunës, duke shërbyer si mjet orientim dhe si hartëzim i shërbimeve;

Një dokument i mjeteve të fokusuara në legjislacionin dhe politikat relevante për dhunën ndaj grave nga komunitetet e margjinalizuara, që shërben si një udhëzues për institucionet dhe organizatat por edhe aktivistët nga komunitetet;

Është përgatitur raporti” Dhuna ndaj grave e vajzave nga komunitete të pafavorizuara – Një vështrim mbi fenomenin e dhunës ndaj grave e vajzave nga komunitetet Rom, LGBT dhe atyre me aftësi të kufizuara në bashkitë, Elbasan, Vlorë, Tiranë dhe Shkodër”, i cili ka hedhur dritë mbi situatën e grave nga komunitetet e margjinalizuara në Shqipëri.