Punësimi

Punësimi i Personave me Aftësi të Kufizuara

FShDPAK promovon përfshirjen sociale dhe në tregun e punës të personave me aftësi të kufizuara. Programi ofron shërbime punësimi për personat me aftësi të kufizuara që kërkojnë punë; ndihmon në krijimin e besimit dhe aftësive të tyre, i udhëzon ata drejt AFP (Arsimit dhe Formimit profesional) orienton dhe ndërmjetëson punësimin apo vetpunësimin e tyre. FShDPAK mbështet reformën ligjore në AFP dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara për të siguruar përmbushjen e standardeve më të mira të kuadrit ligjor të BE, OKB dhe ndërkombëtare, përfshirë “Planin e veprimit të BE-së për Aftësinë e Kufizuar 2010-2020”, KDPAK (Konventën e OKB për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara) etj. FShDPAK rrit ndërgjegjësimin dhe krijon partneritete midis palëve të interesuara mbi çështjet të rëndësishme për integrimin social dhe në tregun e punës të personave me aftësi të kufizuara dhe lehtëson shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira midis pushtetit lokal, institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe punëdhënësve.

Me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në Tetor 2010, Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, filloi zbatimin e projektit “Fuqizim Ekonomik për Personat me Aftësi të Kufizuara në Shqipëri”. Përmes një përqasje shume dimensionale, FSHDPAK po punon me të gjithë aktorët përgjegjës për problematikën e punësimit të PAK dhe me ta të sigurojë ndërhyrjet e duhura në kuadrin e politikave dhe legjislacionit, si edhe të nxisë programe dhe masa proaktive që do të garantojnë fuqizimin ekonomik dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Për zbatimin e projektit, është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Shërbimin Kombëtar të Punësimit dhe Drejtoritë Rajonale të Punësimit në Tiranë, Elbasan, Shkodër e Vlorë, në bazë të së cilës FSHDPAK ka rol thelbësor për ofrimin e ekspertizës me qëllim njohjen e problematikës me fokus punësimin e personave me aftësi të kufizuara, koncepteve të përshtatjes së arsyeshme dhe mosdiskriminimin, njohjen dhe përfshirjen e shërbimit të specializuar të krijuar përmes projektit nga FSHDPAK, në sistemin publik të shërbimit të punësimit të ofruar nga këto institucione.