FShDPAK që prej vitit 1996 menaxhon fabrikën Mirësia, në të cilën përgatiten karrige me rrota për personat me aftësi të kufizuara dhe ofrohen shërbime mbështetëse për këtë mjet, duke plotësuar nevoja në të gjithë vendin, për të gjitha grupmoshat dhe kategoritë e personave me aftësi të kufizuara. Shërbimi i ofrimit të karrigeve me rrota ka në themel të tij procesin e vlerësimit të nevojave specifike, si fizike ashtu edhe shëndetësore, të individëve të cilët pajisen me këtë mjet. Vlerësimi i realizuar sipas standardeve të OBSh u mundëson specialistëve të FShDPAK të përshtasin karrigen me rrota në përputhje me specifikat e individëve me aftësi të kufizuara. Stafi i programit është trajnuar në vazhdimësi nga ekspertë ndërkombëtar për ofrimin e shërbimit të karrigeve me rrota në përputhje me standardet e OBSh për këtë shërbim. Ata i trajnojnë personat me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre për aftësitë bazë të përdorimit të karriges me rrota si dhe për mirëmbajtjen e saj. Këtë shërbim FShDPAK e ofron në bashkëpunim të ngushtë me strukturat shtetërore, përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve për grupet në nevojë. Ofrimi i shërbimit të karriges me rrota u mundëson personave me aftësi të kufizuara të kenë akses të pavarur në shërbime jetike duke e bërë këtë shërbim të jetë parakusht për integrimin e tyre në komunitet. 

Lloje të karrigeve me rrota që ofrohen nga FShDPAK:

  1. Karrige me rrota të tipit standard
  2. Karrige me rrota të tipit aktiv
  3. Karrige me rrota all terrain ( karrige me rrota të cilat janë të përshtatshme për terren të vështirë)
  4. Karrige me rrota speciale

Karekteristika të shërbimit të ofrimit të karrigeve me rrota

Stafi i FShDPAK, në vite i asituar nga eksperizë ndërkombëtare, ka ofruar shërbim të specializuar të karrigeve me rrota për individët në nevojë. Kjo do të thotë që ofrimi i karrigeve me rrota për individët me aftësi të kufizuara është shoqëruar me vlerësim të individualizuar si dhe me shërbime të tjera mbështetëse me qëllim përshtatjen e kësaj pajisjeje sipas nevojave specifike të përdoruesit me aftësi të kufizuara. Pajisja me karrige me rrota nuk është dorëzim i mjetit tek përfituesi por është një shërbim, procesi i ofrimit të të cilit duhet të kalojë domosdoshmërisht në disa hapa me qëllim që në përfundim përfituesi të pajiset me karrige me rrota në përputhje me situatën e tij/saj fizike dhe shëndetësore. Hapa të shërbimit të ofrimit të karriges me rrota; (1) Referimi dhe takim; (2)Vlerësimi; (3) Përshkrimi/dizenjimi i karriges me rrota (zgjedhja); (4) Financimi dhe porositja; (5) Përgatitja e produktit; (6) Përshtatja; (7) Trajnimi i përdoruesit; (8) Ndjekja e mëtejshme, mirëmbajtja dhe riparimi. Shërbimi i ofrimit të karrigeve me rrota bëhet bazuar në standardet e miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh ) për këtë shërbim. Kjo organizatë në bashkëpunim me partnerë të tjerë, ka hartuar dhe miratuar udhëzuesin “Për ofrimin e karrigeve me rrota në vendet me burime të kufizuara”( OBSh, 2008 ). Udhëzuesi është hartuar për tu ardhur në ndihmë të gjithë aktorëve, përgjegjës për hartimin e politikave si dhe atyre përgjegjës për ofrimin shërbimit të karrigeve me rrota me qëllim sigurimin e një shërbimi të qëndrueshëm dhe cilësor për individët me aftësi të kufizuara. Ky dokument, me aprovimin e OBSh, është përshtatur dhe botuar në shqip nga FSHDPAK.

Përfitues të shërbimit të karrigeve me rrota dhe burimet e referimit

Krahas personave me vështirësi në lëvizje që në lindje, të cilët janë përfitues në vazhdimësi të karrigeve me rrota, individë të tjerë që kanë nevojë të pajisen me këtë mjet janë dhe ata që bëhen persona me aftësi të kufizuara për shkak të faktorëve si ; sëmundjet, aksidentet apo moshimi.

Nevojat për mjete lëvizëse identifikohen përmes; klientëve të interesuar ( individë me aftësi të kufizuar, familjarë të tyre); OJF të aftësisë së kufizuar, organizata të tjera që punojnë në komunitet. Burimi kryesor dhe zyrtar nga i cili FShDPAK merr informacion në vazhdimësi për personat me aftësi të kufizuara në nevojë për karrige me rrota janë Zyrat Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror në të gjithë vendin. FShDPAK bashkëpunon me këto zyra si për identifikimin e nevojave ashtu edhe për organizimin e shpërndarjes së tyre tek individët më vulnerabël.

Ngritja e kapaciteteve për ofrimin e shërbimit të karrigeve me rrota

Trajnim për ofrimin e shërbimit të karriges me rrota të tipit bazë

Me qëllim shtrirjen e shërbimit të ofrimit të karrigeve me rrota në të gjithë vendin FShDPAK me mbështetjen e USAID dhe në vijim LDS në bashkëpunim me ShSSh dhe Zyrat Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror ka iniciuar dhe zhvillon në vazhdimësi trajnimin e administratorëve shoqërorë në të gjtha rajonet e vendit, të cilët aftësohen dhe çertifikohen për ta kryer këtë shërbim në rajonet përkatëse. Trajnimi katër ditor ofrohet bazuar në modulin “………..”. Pjesëmarrësit në trajnim përfitojnë njohuri teorike dhe praktike për shërbimin e ofrimit të karrigeve me rrota.

Trajnim për ofrimin e shërbimit të karriges me rrota speciale

Stafi i FShDAK trajnohet nga ekspertë të ndërkombëtarë për ofrimin e këtij shërbimi të specializuar. Shërbimi i ofrimit të karrigeve me rrota speciale duke qënë shërbim që kërkon aftësi të avancuara aktualisht ofrohet vetëm nga stafi i FShDPAK i cili është i çertifikuar për këtë shërbim nga organizata ndërkombëtare (USAID dhe LDS).

Trajnim i përfituesve dhe familjarëve për përdorimin dhe mirëmbajtjen e karriges me rrota

Pjesë e procesit të ofrimit të shërbimit të karrigeve me rrota është dhe trajnimi i përfituesve apo familjarëve të tyre për përdorimin dhe mirëmbajtjen e karriges me rrota. Trajnimi i tyre realizohet nga stafi i specializuar i FShDPAK. Ata u ofrojnë individëve me aftësi të kufizuara dhe familjarëve të tyre informacion të shkruar ( manualin e përdorimit dhe mirëmbajtjes së karriges me rrota si dhe zhvillojnë me secilin prej tyre një seancë demostrimi për mënyrat e përdorimit dhe mirëmbajtjes së karriges me rrota.

Në vite, FShDPAK, trajnimin e përfituesve të rinj të karrigeve me rrota e ka ofruar edhe përmes organizimit të Kampeve të Rehabilitimit Aktiv “ Aftësim për jetesë të pavarur” kanë patur si qëllim kryesor të trajnojnë përdoruesit e rinj të karrigeve me rrota, të pajisur me këtë mjet nga FShDPAK, si dhe familjarët e tyre për të fitur aftësi praktike për përdorimin e karrigeve me rrota duke kontribuar për pavarësinë e tyre në jetë. Ky aktivitet për përdoruesit e karrigeve me rrota dhe familjarët e tyre është jo vetëm një aktivitet trainimi por është gjithashtu një mundësi për të pushuar në ambiente shlodhëse, si dhe për të marrë pjesë në aktivitete sociale e sportive. Ky aktivitet është i bazuar në filozofinë “ Përdoruesit e karrigeve me rrota mësojnë përdorues të tjerë të karrigeve me rrota me aftësi praktike për jetesë të pavarur”. Këtë aktivitet Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar e ka organizuar në vite, që prej vitit 1996, në saj të mbështetjes financiare të donatarëve të ndryshem si; OXFAM GB, Novib – Netherlands, USAID, Vodafone Albania Foundation, Assist Impact.

Botime

Manuali i karrigeve me rrota

Raport studimi “ Ofrimi i shërbimit të karrigeve me rrota në Shqipëri”

Manuali i mirëmbajtjes së karrigeve me rrota