Trajnim për ofrimin e shërbimit të karriges me rrota të tipit bazë

Me qëllim shtrirjen e shërbimit të ofrimit të karrigeve me rrota në të gjithë vendin FShDPAK me mbështetjen e USAID dhe në vijim LDS në bashkëpunim me ShSSh dhe Zyrat Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror ka iniciuar dhe zhvillon në vazhdimësi trajnimin e administratorëve shoqërorë në të gjtha rajonet e vendit, të cilët aftësohen dhe çertifikohen për ta kryer këtë shërbim në rajonet përkatëse. Pjesëmarrësit në trajnim përfitojnë njohuri teorike dhe praktike për shërbimin e ofrimit të karrigeve me rrota.

Trajnim për ofrimin e shërbimit të karriges me rrota speciale

Stafi i FShDAK trajnohet nga ekspertë të ndërkombëtarë për ofrimin e këtij shërbimi të specializuar. Shërbimi i ofrimit të karrigeve me rrota speciale duke qënë shërbim që kërkon aftësi të avancuara aktualisht ofrohet vetëm nga stafi i FShDPAK i cili është i çertifikuar për këtë shërbim nga organizata ndërkombëtare (USAID dhe LDS).

Trajnim i përfituesve dhe familjarëve për përdorimin dhe mirëmbajtjen e karriges me rrota

Pjesë e procesit të ofrimit të shërbimit të karrigeve me rrota është dhe trajnimi i përfituesve apo familjarëve të tyre për përdorimin dhe mirëmbajtjen e karriges me rrota. Trajnimi i tyre realizohet nga stafi i specializuar i FShDPAK. Ata u ofrojnë individëve me aftësi të kufizuara dhe familjarëve të tyre informacion të shkruar ( manualin e përdorimit dhe mirëmbajtjes së karriges me rrota si dhe zhvillojnë me secilin prej tyre një seancë demostrimi për mënyrat e përdorimit dhe mirëmbajtjes së karriges me rrota.

Në vite, FShDPAK, trajnimin e përfituesve të rinj të karrigeve me rrota e ka ofruar edhe përmes organizimit të Kampeve të Rehabilitimit Aktiv “ Aftësim për jetesë të pavarur” kanë patur si qëllim kryesor të trajnojnë përdoruesit e rinj të karrigeve me rrota, të pajisur me këtë mjet nga FShDPAK, si dhe familjarët e tyre për të fitur aftësi praktike për përdorimin e karrigeve me rrota duke kontribuar për pavarësinë e tyre në jetë.  Ky aktivitet për përdoruesit e karrigeve me rrota dhe familjarët e tyre është jo vetëm një aktivitet trainimi por është gjithashtu një mundësi për të pushuar në ambiente shlodhëse, si dhe për të marrë pjesë në aktivitete sociale e sportive. Ky aktivitet është i bazuar në filozofinë “ Përdoruesit e karrigeve me rrota mësojnë përdorues të tjerë të karrigeve me rrota me aftësi praktike për jetesë të pavarur”. Këtë aktivitet Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar e ka organizuar në vite, që prej vitit 1996, në saj të mbështetjes financiare  të donatarëve të ndryshem si; OXFAM GB, Novib – Netherlands, USAID, Vodafone Albania Foundation, Assist Impact.