FShDPAK që prej vitit 1996 menaxhon fabrikën Mirësia, në të cilën përgatiten karrige me rrota për personat me aftësi të kufizuara dhe ofrohen shërbime mbështetëse për këtë mjet, duke plotësuar nevoja në të gjithë vendin, për të gjitha grupmoshat dhe kategoritë e personave me aftësi të kufizuara. Shërbimi i ofrimit të karrigeve me rrota ka në themel të tij procesin e vlerësimit të nevojave specifike, si fizike ashtu edhe shëndetësore, të individëve të cilët pajisen me këtë mjet. Vlerësimi i realizuar sipas standardeve të OBSh u mundëson specialistëve të FShDPAK të përshtasin karrigen me rrota në përputhje me specifikat e individëve me aftësi të kufizuara. Stafi i programit është trajnuar në vazhdimësi nga ekspertë ndërkombëtar për ofrimin e shërbimit të karrigeve me rrota në përputhje me standardet e OBSh për këtë shërbim. Ata i trajnojnë personat me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre për aftësitë bazë të përdorimit të karriges me rrota si dhe për mirëmbajtjen e saj. Këtë shërbim FShDPAK e ofron në bashkëpunim të ngushtë me strukturat shtetërore, përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve për grupet në nevojë. Ofrimi i shërbimit të karriges me rrota u mundëson personave me aftësi të kufizuara të kenë akses të pavarur në shërbime jetike duke e bërë këtë shërbim të jetë parakusht për integrimin e tyre në komunitet.