Bazuar në çështje të ngritura nga klientët por bazuar edhe në hulumtime, studime të vazhdueshme, FSHDPAK ka iniciuar, lobuar dhe avokuar për përmirësimin e politikave dhe legjislacionit në fushën e akseseshmërisë, arsimit gjithëpërfshirës, proceseve zgjedhore, punësimit për personat me aftësi të kufizuara, shërbimeve shoqërore, asistencës sociale, etj,. FSHDPAK ka ndikuar në hartimin dhe miratimin e Strategjisë së parë Kombëtare Gjithëpërfshirëse të Aftësisë së Kufizuar në vitin 2005 dhe ka lobuar pranë qeverisë për firmosjen e më tej në bashkëpunim me UNDP për ratifikimin e KNDPAK në 2012. Më shumë se 25 akte ligjore e nënligjore si edhe dokumenta politikë që lidhen kryesisht me të drejtat e aftësisë së kufizuar janë përmirësuar për shkak të përpjekjeve të lobimit dhe advokimit të FSHDPAK.
Disa nga propozimet kryesore ligjore kanë synuar dhe adresuar hartim dhe ndryshim të kuadrit ligjor dhe politik në fushat e mëposhtme:
(a) Aksesueshmëria: Përmes një procesi të vazhdueshëm avokatie, të filluar që prej vitit 2002, FShDPAK ka ndikuar në hartimin dhe aprovimin e një sërë dokumentave politikë dhe ligjorë që garantojnë të drejtën për akses të personave me aftësi të kufizuara në ambjentet fizike, në transport, informacion dhe komunikim. Fushata e avokatisë dhe ekspertiza ligjore kanë nxitur hartimin dhe aprovimin e;(a)Paketës së Normave Urbanistike dhe Arkitektonike ( miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit në dhjetor 2003);(b)Rregullores së Urbanistikës e cila përfshin dhe Paketën e Normave Urbanistike dhe Arkitektonike, miratuar nga Këshilli i Ministrave në qershor 2004; (c) Ligjit për planifikimin e territorit, i miratuar në vitin 2009; (d) Rregullores për Shfrytëzimin e Hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuara. Dokumenti u miratua në nentor 2009; (e) Ligjit për përfshirjen dhe aksesueshmërinë;
(b) Edukimi Gjithëpërfshirës: Neni 57 në Dispozitat Normative për arsimin parauniversitar për arsimin gjithëpërfshirës për fëmijët me aftësi të kufizuara (Shtator 2002); Ekspertizë ligjore, Lobim dhe Avokati përmes Koalicionit të Aftësisë së Kufizuar dhe Zhvillimit, Shqipëri së bashku me Save the Children, për Ligjin për arsimin parauniversitar miratuar në vitin 2012, duke garantuar arsim gjithëpërfshirës për fëmijët me aftësi të kufizuara;
(c) Pjesëmarrja në jetën civile dhe politike; Ndryshimet e propozuara nga FSHDPAK për Kodin zgjedhor janë pasqyruar pjesërisht në nenet 100, 108, 103 ( ndyshime te bëra në vitet 2003, 2004, 2005, 2008, 2012);
(e) Punësimi: Ndryshimet në ligjin bazë për Nxitjen e Punësimit (viti 2019), Kodin e Punës, hartimin dhe dhe miratimi i legjislacionit sekondar që ndikon në punësimin e personave me aftësi të kufizuara(VKM 248 në zbatim të Ligjit për nxitjen e punësimit); Ligje që promovojnë punësimin e personave me aftësi të kufizuara përmendur Ligji për ndihmë dhe shërbime shoqërore dhe Ligji për Asistencën Sociale 2019;
( f) Të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara: FShDPAK ka ndikuar në përfshirjen e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara në agjendën e aftësisë së kufizuar dhe agjendën e qeverisë dhe shoqërisë civile me fokus fëmijët në nivel kombëtar dhe lokal. FShDPAK ka advokuar në nivel lokal dhe kombëtar zbatimin e qasjeve specifike dhe gjithëpërfshirëse për të garantuar të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara, më specifikisht ka ndikuar në hartimin dhe aprovimin e Ligjit nr. 18/2017 për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës dhe në Agjenda Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2017-2020;
(g) Të drejtat e vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara: Përmes avokatisë FShDPAK ka promovuar barazinë gjinore, duke fuqizuar vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara dhe duke i ndihmuar ato të marrin një rol udhëheqës në përcaktimin e çështjeve të rëndësishme publike në partneritet me përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe të shoqërisë civile. Cështjet e dhunës ndaj vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara janë përfshirë në Ligjin Nr. 47/2018, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar si edhe në Strategjinë kombëtare për barazinë gjinore dhe planin e veprimit 2016-2020;
Në vitet 2003-2005, FShDPAK pati një rol thelbësor për të nxitur dhe garantuar hartimin dhe aprovimin e Strategjisë Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara, si një politike e gjithanshme dhe gjithëpërfshirëse, për të garantuar të drejtat themelore të personave me aftësi të kufizuara. FShDPAK pati një rol koordinues për të garantuar dhe përfshirjen e një numri të madh individësh, grupesh, organizatash dhe institucionesh në këtë proces. Strategjia Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara dhe plani i Veprimit 2005-2015, kishte si qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për personat me aftësi të kufizuara në fushën e arsimit, punësimit, shërbimeve ndihmëse dhe jetesës pa pengesa.
FShDPAK është përfshirë në mënyrë aktive në hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar 2016 -2020 dhe në hartimin dhe aprovimin e shumë dokumentave politikë e ligjorë, përfshirë Reformën Kushtetuese, Dokumentin Politik për Përfshirjen Sociale 2016-2020, Ligjin për Ndihmën Ligjore, Ligjin për Strehimin, Standarted e shërbimeve, Standardet për kujdesin në qendrat ditore dhe rezidenciale për personat me aftësi të kufizuara; Standardet e shërbimeve komunitare për personat me aftësi të kufizuara etj.