Barazia para ligjit është një nga drejtimet kryesore të punës së FSHDPAK. Që prej vitit 2005, po zbatojmë programin ‘Ndihmë Ligjore Falas dhe Avokati për personat me aftësi të kufizuara’. Programi u ngrit si nevojë e mungesës së aksesit në shërbimet e sektorit të drejtësisë nga komuniteti i personave me aftësi të kufizuara. Aksesi në drejtësi për personat me aftësi të kufizuara ishte një e drejtë e mohuar jo vetëm për faktin që ky komunitet ishte i përjashtuar dhe ndër më të varfërit, por edhe për shkak të mungesës së aksesueshmërisë, diskriminimit institucional dhe atij social. Ndër vite, është krijuar një qendër unike ligjore burimore për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara përmes: a) ofrimit të ndihmës ligjore për më shumë se 3500 persona me aftësi të kufizuara dhe familjarë të tyre; b) përmirësimeve ligjore në përputhje me standartet ndërkombëtare, ku 25 akte ligjore e nënligjore të fushës së aftësisë së kufizuar janë ndikuar të përmirësohen; c) edukimit ligjor, përmes ushtrimit të avokatisë, monitorimeve, trajnimeve, informacionit, ekspertizës ligjore, në partneritet dhe bashkëpunim me institucionet e sistemit të drejtësisë, si edhe ato qëndrore e vendore. Publikimet e përgatitura në kuadër të këtij programi, kanë ndikuar në adresimin e çështjeve të aftësisë së kufizuar në të gjitha nivelet.