Lloje të karrigeve me rrota që ofrohen nga FShDPAK
- Karrige me rrota të tipit standard
- Karrige me rrota të tipit aktiv
- Karrige me rrota all terrain ( karrige me rrota të cilat janë të përshtatshme për terren të vështirë)
- Karrige me rrota speciale
Karekteristika të shërbimit të ofrimit të karrigeve me rrota.
Stafi i FShDPAK, në vite i asituar nga eksperizë ndërkombëtare, ka ofruar shërbim të specializuar të karrigeve me rrota për individët në nevojë. Kjo do të thotë që ofrimi i karrigeve me rrota për individët me aftësi të kufizuara është shoqëruar me vlerësim të individualizuar si dhe me shërbime të tjera mbështetëse me qëllim përshtatjen e kësaj pajisjeje sipas nevojave specifike të përdoruesit me aftësi të kufizuara. Pajisja me karrige me rrota nuk është dorëzim i mjetit tek përfituesi por është një shërbim, procesi i ofrimit të të cilit duhet të kalojë domosdoshmërisht në disa hapa me qëllim që në përfundim përfituesi të pajiset me karrige me rrota në përputhje me situatën e tij/saj fizike dhe shëndetësore. Hapa të shërbimit të ofrimit të karriges me rrota; (1) Referimi dhe takim; (2)Vlerësimi; (3) Përshkrimi/dizenjimi i karriges me rrota (zgjedhja); (4) Financimi dhe porositja; (5) Përgatitja e produktit; (6) Përshtatja; (7) Trajnimi i përdoruesit; (8) Ndjekja e mëtejshme, mirëmbajtja dhe riparimi. Shërbimi i ofrimit të karrigeve me rrota bëhet bazuar në standardet e miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh ) për këtë shërbim. Kjo organizatë në bashkëpunim me partnerë të tjerë, ka hartuar dhe miratuar udhëzuesin “Për ofrimin e karrigeve me rrota në vendet me burime të kufizuara”( OBSh, 2008 ). Udhëzuesi është hartuar për tu ardhur në ndihmë të gjithë aktorëve, përgjegjës për hartimin e politikave si dhe atyre përgjegjës për ofrimin shërbimit të karrigeve me rrota me qëllim sigurimin e një shërbimi të qëndrueshëm dhe cilësor për individët me aftësi të kufizuara. Ky dokument, me aprovimin e OBSh, është përshtatur dhe botuar në shqip nga FSHDPAK.
Përfitues të shërbimit të karrigeve me rrota dhe burimet e referimit
Krahas personave me vështirësi në lëvizje që në lindje, të cilët janë përfitues në vazhdimësi të karrigeve me rrota, individë të tjerë që kanë nevojë të pajisen me këtë mjet janë dhe ata që bëhen persona me aftësi të kufizuara për shkak të faktorëve si ; sëmundjet, aksidentet apo moshimi.
Nevojat për mjete lëvizëse identifikohen përmes; klientëve të interesuar ( individë me aftësi të kufizuar, familjarë të tyre); OJF të aftësisë së kufizuar, organizata të tjera që punojnë në komunitet. Burimi kryesor dhe zyrtar nga i cili FShDPAK merr informacion në vazhdimësi për personat me aftësi të kufizuara në nevojë për karrige me rrota janë Zyrat Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror në të gjithë vendin. FShDPAK bashkëpunon me këto zyra si për identifikimin e nevojave ashtu edhe për organizimin e shpërndarjes së tyre tek individët më vulnerabël.