Projekti “ Forcimi i kapaciteteve të shoqërisë civile për zbatimin e të drejtave të njerëzve me aftësi të kufizuara në Shqipëri” i mbështetur nga Bashkimi Evropian që po zbatohet në partneritet nga organizatat World Vision Albania (WVA), Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (FShDPAK) dhe Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara (MEDPAK ) synon të krijojë dhe fuqizojë rrjete të organizatave të shoqërisë civile, organizatave të personave me aftësi të kufizuara si dhe individëve me aftësi të kufizuara, në rajonet Berat, Korçë, Lezhë dhe Dibër me qëllim aftësimin e tyre për të luajtur një rol aktiv si; (1) vëzhgues të zbatimit të politikave dhe kuadrit ligjor në nivel qëndror dhe lokal; (2) pjesëmarrës aktiv në vendimarrje kur hartohen politika dhe planifikohen buxhete për aftësinë e kufizuar; (3) lobues dhe mbrojtës të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara kur këto të drejta nuk garantohen apo cënohen.

Monitorimi në vazhdimësi i zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara (2016-2020), si një ndër ndërhyrjet kryesore të këtij projekti, është mundësi për të vlerësuar progresin që institucionet në nivel qëndror dhe lokal bëjnë në kuadër të realizimit të masave, përmbushjes së afateve kohore dhe sigurimit të burimeve financiare për arritjen e objektivave, sipas fushave përkatëse. Të dhënat e dala nga këto raporte monitorimi do të ti shërbejnë rrjeteve të krijuara në katër qytetet si një mjet efektiv advokacie për të nxitur institucionet në nivel qëndror dhe lokal për të dhënë llogari, për të qënë transparent si dhe do të shërbejnë për të krijuar dialogun e munguar ndërmjet shoqërisë civile, që përfaqëson interesat e personave me aftësi të kufizuara dhe vetë këtyre institucioneve në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara për to në Planin Kombëtar të Veprimit. Raportet e monitorimit do të shërbejnë gjithashtu si evidenca për institucionet ndërkombëtare për të vlerësuar progresin e shtetit shqiptar në përmbushje të detyrimeve që ka për anëtarësim në BE si dhe detyrimeve që rrjedhin nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Gjithashtu ky projekt krijon për herë të parë një platformë informative të përshattur për të ofruar informacion dhe njohuri për çështje të lidhura me aftësinë e kufizuar, shërbime etj, si dhe do të fuqizojë kapacitetet e të rinjve vullnetarë për të inicuar projekte të cilat do të ndihmojnë direkt individët me aftësi të kufiuzuara në këto qytete.

Në përfundim pritet që komuniteti i personave me aftësi të kufizuara në këto katër bashki, përmes rrjeteve advokuese, (1) të ketë zë për të evidentuar nevojat që ka dhe që duhet ti plotësohen nga institucionet përgjegjëse; (2) të jetë pjesë e tryezave kur diskutohen dhe planifikohen politika në fushën e aftësisë së kufizuar; (3) të përfitojë informacion për shërbimet që ofrohen në fushën e aftësisë së kufizuar si dhe eksperienca pozitive të lidhura me shërbimet për personat me aftësi të kufizuara; (4) të përfitojë shërbime nga projekte të iniciuara nga të rinj vullnetarë, të cilët janë aktorë të këtij projekti.