Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (FShDPAK) që prej vitit 1996 vijon ofrimin e shërbimit të karrigeve me rrota për personat me aftësi të kufizuara, në të gjithë vendin. Personat me aftësi të kufizuara kanë përfituar këtë shërbim që prej vitit 2017 dhe në vazhdim falë mbështetjes së Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ( LDS ) dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përmes Qarkut Tiranë.

LDS ka ofruar produktin e gatshëm, karriget me rrota, ndërkohë me mbështetjen financiare të MShMS ( përmes Qarkut Tiranë) është berë i mundur ofrimi i shërbimit të karrigeve me rrota.

Karriget me rrota janë montuar, përshtatur në punishten “ Mirësia” në përputhje me vlerësimin individual që stafi i specializuar ka realizuar për çdo individ që pajiset me karrige me rrota, bazuar në standardet e OBSh për këtë shërbim. Individët janë vlerësuar në vendbanimet e tyre ose në ambientet e punishtes “Mirësia”.

Vlerësimi është komponenti kryesor i procesit të shërbimit të karrigeve me rrota. Pjesë e shërbimit të karrigeve me rrota është dhe trajnimi i përdoruesve të rinj dhe familjarëve të tyre, për përdorimin dhe mirëmbajtjen e karrigeve me rrota. Stafi i teknik u ka ofruar atyre informacion teorik ( bazuar në manualin e përdorimit dhe mirëmbajtjes së karriges me rrota ) si dhe praktik ( demostrim) për mënyrat e përdorimit dhe mirëmbajtjes së karriges me rrota.

LDS ka ofruar për Shqipërinë tre tipe të reja të karrigeve me rrota standarde si për zonat urbane ashtu dhe ato rurale. Tipet e reja të karrigeve me rrota ofrojnë më shumë mundësi për tu përshtatur në përputhje me specifikat fizike dhe shëndetësore të personave me aftësi të kufizuara. Për të ofruar një shërbim sa më cilësor dhe sa më afër vendbanimeve për personat me aftësi të kufizuara që pajisen me karrige me rrota trajnerët e FShDPAK me mbështetjen e LDS dhe ekspertëve ndërkombëtarë si dhe në bashkëpunim me Zyrat Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror vijojnë ofrimin e trajnimeve në të gjitha rajonet e vendit për administratorët shoqërore duke krijuar mundësi që shërbimi i karrigeve me rrota në të ardhmen të jetë pjesë e sistemit të shërbimeve që ofrohen nga strukturat shtetërore në të gjithë vendin.