1. SHËRBIMI LIGJOR

Ndihmë Ligjore Falas

Programi i ndihmës ligjore falas për personat me aftësi të kufizuar, asiston persona me aftësi të kufizuar apo familjarë të tyre, nëpërmjet ofrimit të informimit ligjor dhe ndjekjen e çështjeve administrativisht. Gjithashtu, ky program ofron edhe mbrojtjen avokatore në gjykatë për të gjitha ato raste specifike dhe strategjike, që synojnë vendosjen e praktikave të mira ligjore për garantimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Programi i ndihmës ligjore, një vend të veçantë i kushton përmirësimit dhe monitorimit të zbatimit të kuadrit ligjor në fushën e aftësisë të kufizuar.

Ndjekja e Rasteve Strategjike

Shërbimi ligjor është përqëndruar dhe do të vazhdojë të ketë në vëmendje edhe në të ardhmen raste strategjike, të lidhura kryesisht me diskriminimin, raste të cilat shtrihen më shumë në kohë dhe kërkojnë ndërhyrje më të specializuara. Trajtimi i rasteve strategjike, shoqërohet me aktivitete advokimi e lobimi, me qëllim ndryshimet ligjore apo të praktikës ligjore, të cilat përfundimisht do të ndikojnë në përmirësime për një grup të gjerë përfituesish me aftësi të kufizuara

Diskriminimi për shkak të aftësisë së kufizuar

FSHDPAK punon për fuqizimin e grupeve e interesit, persona me aftësi të kufizuara dhe organizatat e aftësisë së kufizuar, në mënyrë që ata të identifikojnë dhe të denoncojnë rastet e diskriminimit. U ofrojmë personave me aftësi të kufizuara mjetet për të ushtruar të drejtat e tyre, jo vetëm përpara gjykatave, por edhe duke negociuar me punëdhënësit, ofruesit e shërbimeve shoqërore, shëndetësore dhe të punësimit. FSHDPAK nxit zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, përmes ushtrimit të presionit dhe ofrimit të propozimeve konkrete se si ky ligj duhet të bëhet i zbatueshëm në kontekstin e aftësisë së kufizuar.

2. AKSESI NË DREJTËSI

Vendimmarrja e Mbështetur

Për herë të parë në Shqipëri, kemi ndërmarrë nisma që adresojnë në mënyrë të veçantë të drejtën për njohje të barabartë para ligjit, sipas Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (KDPAK). Neni 12 i KDPAK njeh të drejtën e njohjes para ligjit të të gjithë personave me aftësi të kufizuara, veçannërisht personave me aftësi të kufizuara intelektuale dhe atyre me probleme të shëndetit mendor. Veçantia e tij qëndron në faktin që njohja nuk nënkupton vetëm pasjen e të drejtave, por edhe ushtrimin e tyre në kushte të barabarta me të tjerët. KDPAK, përmes këtij neni bën thirrje për heqjen e sistemit të kujdestarisë ligjore, si një sistem diskriminues, evaziv dhe abuzues me të drejtat e personit dhe prezanton modelin e vendimarrjes së mbështetur, duke nënkuptuar që të gjithë personat me mbështetjen e duhur dhe të nevojshme mund të marrin vetë vendimet për të gjitha aspektet e jetës së tyre.

Mundësimi i qasjeve përfshirëse për të siguruar akses efektiv në drejtësi për personat me aftësi të kufizuara

FShDPAK, përmes programeve që zbaton, synon mundësimin e aksesit efektiv në drejtësi për personat me aftësi të kufizuara, përmes rritjes së njohurive të institucioneve të drejtësisë për përmirësimin e praktikave dhe legjislacionit në fushën e garantimit të aksesit në drejtësi për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara, në përputhje me standardet ndërkombëtare që ka afirmuar Konventa e OKB për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. FSHDPAK punon të fuqizojë personat me aftësi të kufizuara dhe organizatat që punojnë në këtë fushë, për të advokuar dhe lobuar për jetësimin e standardeve ndërkombëtare, me qëllim garantimin e aksesit efektiv në drejtësi.

Qeverisja e mirë në kontekstin e aftësisë të kufizuar

FSHDPAK, në vijimësi, ndërmerr nisma, të cilat synojnë të rrisin llogaridhënien dhe transparencën në institucionet e qeverisjes vendore dhe qëndrore dhe institucionet e tjera ligj zbatuese, përmes monitorimit të nivelit të zbatimit të kuadrit ligjor dhe evidentimit/denoncimit të praktikave negative. Përmes ndërgjegjësimit, fuqizimit të kapaciteteve, promovimit të aksesueshmërisë, FSHDPAK synon të rrisë përgjegjësinë dhe transparencën e institucioneve qëndrore dhe vendore. Sa më sipër, ne synojmë ta arrijmë përmes fuqizimit të personave me aftësi të kufizuara për të kërkuar të drejtat e tyre, nëpërmjet aplikimit të mekanizmave ligjorë dhe nëpërmjet përmirësimit të aftësive monitoruese.