Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, realizoi raportin e dytë të monitorimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar (PKVPAK) (2016-2020) vlerësuar nga prespektiva e personave me aftësi të kufizuara, familjarëve të tyre dhe organizatave të shoqërisë civile në rajonet Berat, Dibër, Korçë dhe Lezhë, si pjesë e aktiviteteve të projektit “Forcimi i Kapaciteteve të Shoqërisë Civile për Zbatimin e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara në Shqipëri”.
Në vitin 2019 nga FShDPAK është realizuar raporti i parë i monitorimit të PKVPAK. Ky është raporti i dytë i monitorimit i cili u përgatit nga FShDPAK në bashkëpunim me eksperten Msc. Kristina Voko bazuar në të njëjtën metodologji me raportin e parë, me qëllim identifikimin e ndryshimeve të ndodhura, gjatë vitit 2020, në perceptimin e personave me aftësi të kufizuara, familjarëve të tyre dhe përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, në të katër rajonet, për përmbushjen e qëllimeve strategjike të PKVPAK. Të dhënat e raportit të dytë monitorimit treguan se në perceptimin e personave me aftësi të kufizuara, familjarëve të tyre dhe përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, të gjitha qëllimet specifike të PKVPAK si: Aksesueshmëria: Barazia: Arsimi, Formimi Profesional dhe Punësimi; Arsimi: Kujdesi Shoqëror: Kujdesi Shëndetësor: Pjesëmarrja në jetën politike dhe publike; Nxitja e bashkëpunimit, monitorimit dhe vlerësimit, ende vlerësohen në nivel aspak ose pak të kënaqshëm.
Monitorimi i dytë u zhvillua gjatë periudhës Qershor – Gusht 2020 dhe synon të informojnë në mënyrë sa më të drejtë institucionet e linjës përgjegjëse për zbatimin e Planit aktual, por dhe të ofrojnë këndvështrimin e grupeve të interesit mbi ndërhyrjet e nevojshme që duhet të prioritizohen gjatë hartimit dhe zbatimit të planit të ardhshëm të veprimit që po hartohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për harkun kohor 2021-2025.
Gjetjet e raportit të dytë të monitorimit te PKVPAK u prezantuan sot në Konferencën “Aftësia e Kufizuar – Nga Barrierat drejt Aksesit”, organizuar në kuadër rë projektit “Forcimi i Kapaciteteve të Shoqërisë Civile për Zbatimin e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara në Shqipëri” zbatuar nga World Vision Albania (WVA) në partneritet me Fondacionin Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara( FShDPAK) dhe Shoqatën për Mbrojtjen e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara” (MEDPAK) me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian (BE).
Gjetjet kryesore të monitorimit të realizuar gjatë vitit 2020, si dhe krahasimin e tyre me ato të një viti më parë për secilin qëllim strategjik mund ti gjeni në raportin e plotë të monitorimit si dhe në permbledhjen.