FSHDPAK/ADRF po zbaton një nismë të mbështetur nga Ambasada e SHBA-së në Shqipëri, përmes skemës së granteve të vogla të komisionit për demokraci, e cila do të fokusohet kryesisht tek punëdhënësit, për t’i pajisur ata me njohuri ligjore dhe mjete për të krijuar profile pune dhe për të realizuar përshtatjen e arsyeshme për kandidatë me aftësi të kufizuara, duke i mbështetur në këtë mënyrë ata, që të respektojnë detyrimin e kuotës së punësimit për ta. Do të ofrohet mbështetje individuale/e përshtatur për secilin nga 50 punëdhënësit e synuar.

Do të ofrohet ekspertizë në terren për departamentin e burimeve njerëzore në secilin prej 50 subjekteve, punëdhënësve të mundshëm, për të analizuar vendet e punës dhe për të krijuar profile pune për punëkërkuesit e mundshëm me aftësi të kufizuara. Do të krijohet një bazë të dhënash me vende pune potenciale të disponueshme e të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara. Do të planifikohet një ditë mentorimi nga këta punëdhënës për të mundësuar përputhjen e duhur të punonjësve potencialë, por edhe për të përmirësuar qëndrimet e punëdhënësve dhe stafit të tyre në përqafimin e diversitetit, dhe ndërkohë për t'u dhënë mundësi për një përvojë pune dhe rritje të motivimit, punëkërkuesve me aftësi të kufizuara.

Punëdhënësit nga sektori publik dhe privat në dy rajonet e synuara nga projekti, Tiranë dhe Shkodër do të angazhohen së bashku me të gjitha palët e interesuara edhe në një forum- biznesi dhe aftësisë së kufizuar- për të ndarë histori suksesi, poste pune, sfida dhe mekanizma mbështetës (ligjorë, institucionalë) që egzistojnë ose që do të ndërtohen (panele diskutimi, video kryesisht me opinionet e punonjësve, panair për punësimin e personave me aftësi të kufizuara).