Me mbështetjen e Renovabis, FSHDPAK punoi përgjatë vitit 2015, për të hartuar një mjet vlerësimi të bazuar në pikat e forta/ aftësitë, me fokus identifikimin e funksioneve dhe nevojat për mbështetje për VET dhe edukim, drejt një përvoje të suksesshme pune për personat me aftësi të kufizuara.
Ky mjet u realizua përmes partneritetit të FSHDPAK, SHKP dhe Caritas Albania, ekspertët e të cilëve konsultuan instrumente vlerësimi, dy modele nga Kroacia dhe Italia të cilat FSHDPAK pati mundësinë që ti përfitonte përmes projektit SLID. Një ekip prej 19 specialistësh / trajnerësh (Caritas 2, Zyrat e Punës 6 dhe FSHDPAK 11) ishin të përfshirë drejtpërdrejt në testimin e instrumenteve.
Testimi ndihmoi në përshtatjen dhe krijimin e një udhëzuesi, që do të ndihmojë në procesin e vlerësimit dhe orientimit të personave me aftësi të kufizuara drejt formimit profesional dhe punësimit. Por ndërkohë, rekomandoi që(a)përgatitja e këtij udhëzuesi duhet të shoqërohet me rishikimin e shërbimeve të ofruara aktualisht nga shërbimi kombëtar i punësimit, krijimi i strukturave dhe burimeve njerëzore që do të ofrojnë shërbime të specializuara duke përfshirë vlerësimin për punë që kërkojnë personat me aftësi të kufizuara;(b)Reforma e shërbimeve të punësimit duhet të kryhet paralelisht me reformën e vlerësimit të aftësisë së kufizuar në funksion të krijimit të rrjetit të shërbimeve mbështetëse, duke përfshirë shërbimet e punësimit që do të sigurojnë përfshirjen aktive të individëve me aftësi të kufizuara, kthimin e tyre nga përfituesit pasivë në aktiv pjesëmarrës dhe kontribues në shoqëri. Në një seminar të organizuar për prezantimin dhe diskutimin e instrumentit, përfaqësuesit nga SHKP dhe MMSR rikonfirmuan angazhimin për të përfshirë instrumentet e ofruara përmes ndërhyrjes së projektit për të mundësuar përmirësimin e shërbimit të punësimit për personat me aftësi të kufizuar që kërkojnë punë. Partneriteti dhe bashkëpunimi i qëndrueshëm do të jetë i nevojshëm për të përmirësuar sistemin që ofron shërbime të specializuara të punësimit për personat me aftësi të kufizuara. FSHDPAK, përmes programit të mbështetur nga USAID, po zbaton aktivitete që synojnë përmbushjen e rekomandimeve që kanë dalë nga procesi i hartimit dhe diskutimit të instrumentit të vlerësimit të punëkërkueve të papunë me aftësi të kufizuara.