Ratifikimi nga shteti shqiptar i Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, ka krijuar  detyrime të reja për Qeverinë Shqiptare në drejtim të ndryshimeve ligjore, praktikave administrative, qasjes ndaj aftësisë së kufizuar, standardeve të një niveli më të lartë të mbrojtjes së të drejtave e një cilësie më të mirë jetese të personave me aftësi të kufizuara. Pavarësisht se kuadri legjislativ ka njohur disa përmirësime ndër vite, është e rëndësishme të kihet në konsideratë që detyrimet ligjore u përkasin të gjitha niveleve të qeverisjes, duke përfshirë këtu edhe qeverisjen në nivel lokal. Në mënyrë që këto qasje dhe koncepte të gjejnë zbatim edhe në nivel lokal, kërkohet një konkretizim dhe zbërthim i tyre në plane dhe masa konkrete, që të jenë të prekshme në njësi të veçanta të pushtetit lokal. Për këtë qëllim, FShDPAK ka nxitur dhe njëkohësisht ka ofruar ekspertizë teknike në hartimin e Planeve Vendore për Aftësinë e Kufizuar në disa Bashki. Qëllimi i Planeve Vendore është t’u vijnë në ndihmë Bashkive të zbatojnë detyrimet që rrjedhin nga KDPAK dhe aktet e tjera ligjore e nënligjore të aprovuara nga Qeveria Shqiptare. Hartimi i planeve vendore, bazohet mbi parimet e KDPAK: (a) respekti për dinjitetin, autonominë individuale, përfshirë lirinë për të bërë zgjedhjet personale, dhe pavarësinë e personit; (b) mosdiskriminimi; (c) pjesëmarrja dhe përfshirja e plotë dhe efektive në shoqëri; (d) respekti për ndryshimin dhe pranimin e personave me aftësi të kufizuar si pjesë e diversitetit njerëzor dhe humanizmit; (e) mundësi të barabarta; (f) dhe aksesueshmëria. Planet Vendore ofrojnë: (a) dhënien e një kuadri të plotë të situatës aktuale të personave me aftësi të kufizuara në nivel vendor(në bashkinë përkatëse); (b) identifikim dhe fokusim në disa drejtime kyçe për të adresuar në rrugën e duhur problemet dhe sfidat ekzistuese; (c) objektiva dhe masa me rezultate të arritshme në nivel vendor; (d) informim dhe ndërgjegjësim të administratës vendore dhe komunitetit.